Imdb: 8.4 ?
Rotten Tomato: 92 %
Metacritic: 88 %
Personal: 8?
Tre ‘kuajt’ kryesorë që do të garojnë këtë vit në Çmimet Oscar janë The Grand Budapest Hotel, Birdman (ose The Unexpected Virtue of Ignorance) me 9 nominime, dhe The Imitation Game me 8 nominime. Këtu do të analizohet Birdman, si tërësisht superior ndaj dy të tjerëve në tërë specifikat. Ky film është i pesti për regjisorin meksikan Alejandro González Iñárritu, i pari për të në gjuhën angleze, dhe është i pari regjisor meksikan i nominuar në Çmimet Oscar. Filmi i parë i tij me metrazh të gjatë është i vitit 2000 dhe është Amores Perros, i pari i ‘triologjisë së vdekjes’; 21 Grams (2003), Babel (2006).
Një emër gjenial bashkëkrijues tek Birdman është kinematografi meksikan Emmanuel Lubezki. Në kryeveprat e kinematografit amerikano-latin rradhiten The Tree of Life (2011), To the Wonder (2012), Gravity (2013). Mjeshtëria e këtij artisti në këtë film është realizimi i një vepre 2 orëshe duke ruajtur vijueshmërinë e një plani të gjatë të paprerë. Pas Russian Ark (2002) të regjisorit rus Alexander Sokurov, ky është filmi i dytë në historinë e kinemasë që e realizon në përsosmëri këtë teknikë. Një teknikë, e eksperimentuar së pari prej Alfred Hitchcock, që i jep filmit efektin e një endërrimi që rrjedh.
Gjithaq në të njëjtën lartësi janë edhe aktorët e thirrur në kast si Michael Keaton në rolin protagonist, Edward Norton, Zach Galifianakis dhe Emma Stone. Riggan Thomson (Michael Keaton) është një ish yll hollivudian (personazh i stisur) i rënë nga vakti prej dy dekadash. I shumënjohur për rolin e një super-heroi të quajtur “Birdman”, edhe ky i stisur, mundohet t’i rikthet lavdisë së dikurshme. Ai zgjedh për të vendosur në skenën e Broadway një vepër të shkrimtarit Raymond Carver, What We Talk About When We Talk About Love. Përpjekjet për vënien në skenë të shfaqjes, zënkat e prapaskenës, konkfliktet njerëzore me veten, do jenë boshti ku vërtitet filmi. Përgjatë të cilit, askush nga hallkat e showbiz nuk mbetet pa u qesëndisur apo u vënë në lojë; aktorë, regjisorë, agjentë, publicistë, kritikë.
Nuk është përfolur shumë në media, por Michael Keaton ka shumë të përbashkëta me personazhin e Riggan Thomson. Keaton nga kritika dhe publiku është vlerësuar gjerësisht si aktori që ka luajtur më së miri rolin e super-heroit Batman (alter ego e Bruce Wayne) në tërë historikun e realizimeve të filmit. Me regjinë e Tim Burton, Keaton ka realizuar dy filma të kësaj serie filmike; Batman (1989) dhe Batman Returns (1992). Atij iu ofrua roli edhe për një film të tretë, por ai e refuzoi për shkak të largimit të regjisorit Tim Burton dhe për shkak të mospëlqimit të skenarit. Pas kësaj ai u zhduk në një errësirë disa vjeçare pa patur oferta për role të rëndësishëm. Një situatë e ngjashme paraqet edhe personazhi që luan në këtë film. Në të njëjtin vit si Keaton, në vitin 1992 atij i ofrohet të luajë në Birdman 4, por ai e refuzon.
Dyshësia ndërmjet imagjinares dhe reales është një nga leximet më të mundshme që mund t’i bëhet filmit. Edhe vizualisht sillet dyshësia, sepse ndonëse është përdorur një plan i gjatë i paprerë përgjatë filmit me një sens endërrimi, kamera nuk është e qendruar apo e fiksuar. Ajo rend pas ngjarjes si të bëhej fjalë për një dokumetar.
Veçmas Keaton, edhe Edward Norton vjen me influenca nga personazhi i tij i famshëm në Fight Club (1999). Ama këtu, ai është një aktor metodist i cili përpiqet të jetë sa më i vërtetë në skenë, ndërsa në jetën e përditshme ka një sjellje moskokëçarëse sikur po luan në lëkurën e një personazhi. Pra edhe ky rol është anapulla në vlerësimin e asaj që është reale dhe imagjinare.
VERDIKTI: Iñárritu është një poet në regji. Në çdo film ai vjen totalisht i transformuar, pa e kuptuar asnjëherë firmën e tij.Me Birdman ai ka braktisur veten duke sjellë një kryevepër tjetër.