Shumë dasma e shumë shtatzani ka pasur ky vit.
E para që do të çudiste publikun me deklaratën e saj live, pak muaj më pare në emisionin "Jamais vu" të Mustafa Nanos, do të ishte Arbana Osmani. Gjithmonë e rezervuar për jetën e saj private, (vetëm 2 foto me bashkëshortin, Ardit Keron, në llogarinë e saj në Instagram), moderatorja e njohur vendosi të deklarojë se ajo ishte në pritje për tu bërë nënë. Si për t'i paraprirë privatësisë që kërkonte në këto muaj shtatzanie, Arbana deklaroi "Është hera e parë dhe e fundit besoj, që flas për këtë gjë (shtatzaninë).”
Ndonëse shumë herë mediat rozë kanë aluduar për shtatzani të Arbanës, kur lajmi u pohua publikisht, moderatorja e "Big Brother" pohoi se kishte vendosur t'i qëndrojë larg ekranit në këtë moment të jetës së saj. Deri më tani nuk dihet ende gjinia e bebes që Arbana pret, siç nuk dihet se kujt do t'i besohet moderimi i reality show-t “Big Brother”, në edicionin e radhës.
Si për koiçidencë, Arbana s'do të ishte vetëm në këtë përjetim. Ajo po i ndan muajt e saj të pritjes së ëmbël me mikeshën e ngushtë, Xhemi Shehu. Ish-moderatorja e "E Diell" është gjithashtu në pritje të një fëmije. Kjo shtatzani është e dyta për Xhemin, e cila është mami një djali 3-vjeçar, Martinit. Sipas thashethemeve, ajo dhe bashkëshorti Elvis Sula, me gjasa do të bëhen sërish prindër të një djali.
Nëna në pritje vijnë edhe nga jeta politike në vend. Dy dasma diskrete, të cilat u zbuluan vetëm pak ditë para ceremonisë, do të ishin ato të dy mikeshave politikane, nga Partia Socialiste, Elisa Spiropali dhe Olta Xhaçka.
Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali lidhi kurorë me partnerin e saj Salarjon Totaj, në një ceremoni intime familjare. Gjithsesi, Anabel.al mundi të gjejë foto ekskluzive nga dasma e organizuar në një nga lokalet e Tiranës. Jo vetëm kaq por në fotot që Anabel disponoi, fustani duket se tradhëtoi drejtoreshën, duke konfirmuar zërat se Spiropali ishte shtatzanë, në muajin e pestë. Një javë më parë, vetë Spiropali do të deklaronte në emisionin “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasilit, se ishte shtatzanë dhe ndër të tjera zbuloi se fëmija është vajzë.
Njësoj si me mikeshat e showbiz-it Arbanën dhe Xhemin, lajmit të shtatzanisë së Spiropalit do t'i shtohej edhe ai i mikeshës së saj të ngushtë, deputetes Olta Xhaçka. Xhaçka kurorëzoi në martesë lidhjen 2-vjeçare me deputetin e Partisë Socialiste, Artan Gaçi. Ceremonia, që u zhvillua në Kalanë e Petrelës, u përcoll përmes fotove edhe në Anabel. Barku i rrumbullakosur nën fustanin e bardhë, do të shtonte dyshimet se Olta dhe Artani së shpejti do të bëhen prindër. Gjithsesi lajmi mbetet ende i pakonfirmuar nga ana e çiftit.
Më e fundit nga nënat e ardhshme është këngëtarja Nora Istrefi. Thashethemet për shtatzaninë e këngëtares seksi nisën që në javët e para të spektaklit "Dance With Me", në Tv Klan, por që nuk u pohuan, apo mohuan nga Nora. Këngëtarja realizoi në fillim të shtatorit, ceremoninë e shumëpërfolur të martesës me partnerin Robert Berisha, ceremoni që mbushi rrjetet sociale për nga pompoziteti dhe kurioziteti për Norën-nuse. Natën e mbrëmshme të spektaklit të kërcimit, vetë Nora do të deklaronte tërheqjen nga gara, për shkak të shtatzanisë së saj. Ndonëse në muajt e parë të shtatzanisë, Nora guxoi të kërcejë, sërish pa zhgënjyer me format trupore.
#showbiz