Vitit 2013 i jemi larguar prej disa muajsh dhe si në çelje të stinës së verës, jemi në periudhën më të pasur me premiera kinematografike të vitit 2014. Çmimet e vogla dhe të mëdha, duartrokitjet dhe kritikat për filmat e vitit të shkuar kanë mbaruar. Gjithsesi nga viti që shkoi ka disa tituj filmash që nuk kanë marrë atë që kanë merituar, dhe kanë merituar shumë në fakt. (Përmend këtu “Francis Ha”, “The Square” apo “Nebraska”.)
Një prej tyre, dhe humbësi më i madh, është “The Broken Circle Breakdown” i regjisorit belg Felix van Groeningen. Një film i cili i shpëtoi tërësht vëmendjes së kritikës dhe në kompeticione u vlerësua me çmime të parëndësishme e të dorës së dytë. Madje edhe në Evropë, filmi u asfiksua nga filma me zhurmë të madhe si “La grande belleza” (i cili mori edhe Oscar-in për filmin më të mirë të huaj) apo “Blue is the warmest color”. Gjithashtu edhe publiku i gjerë nuk u josh drejt tij duke e bërë kështu jo të suksesshëm edhe financiarisht. Tek e fundit, përse u dashka merakosur për këtë film, kur as kritika e as publiku nuk e kanë mirëpritur?
Fillimisht, nëse do bindeni ta shihni këtë film, iu paralajmërorhet se do t'iu kapë dëshira për të bërë tatuazh dhe për të dëgjuar muzikë country. Të parën mendojeni dy herë, kurse sa për muzikën country do gjeni një shije muzikore që nuk do iu lëri pa mbresa.
Skenari i filmit është i thjeshtë dhe formalisht mund të thuhet se është një histori dashurie me shikim të parë, por me një fund të trishtë. Ngjarja zhvillohet në një qytet të Belgjikës, ama ka një atmosferë tepër të arrirë të fshatrave amerikanë. (Mund ta besosh që behet fjalë për ndonjë qytezë të Teksasit.) Didier Bontinck (Johan Heldenbergh) është këngëtar/instrumentist në një bandë muzikore country dhe një ateist kokë e këmbë. Në një takim të rastësishëm me Elise Vandevelde (Veerle Baetens), një tatuazhatore dhe kristiane e sinqertë, nis dashuria midis tyre. Në vazhdim ata do kenë një vajzë, e cila që në vitet e para të jetës do preket nga një sëmundje vdekjeprurëse. Kjo sëmundje do jetë sprova e madhe për tërë karakteret në këtë film.
Nëse skenari nuk meriton lëvdata të veçanta, filmi në tërësi është i jashtëzakonshëm. Arsyet nuk janë të shumta, por është vetëm një. Nëse filmat e këtij viti dhe tërë kinematografia në tërësi ka filluar të krijojë një distancim ndërmjet shikuesit dhe veprës së artit, tek ky realizim spektatori e kalon tërë filmin në lëkurë. Ka kohë që kineastë të ndryshëm ngrenë shqetësimin shumë të rëndësishëm që televizioni e ka sëmurur kinemanë me ndjesinë e distancimit të shikuesit. Muri katodik (qelqi në ekranët e televizorëve të dikurshëm) është bërë një hendek i pakalueshëm nga spektatori tek rrëfimi, qoftë në ekranin e madh (kinemaja) ose të vogël (televizioni). Kur shikojmë një film jemi të ndërgjegjshëm që është fiction dhe e shikojmë si një rrëfim i stisur (qoftë edhe ngjarje e vërtetë), por që ne nuk na përket. Tanimë mungon ajo ndjesia që ti ndonëse e di skenarin e “Romeo dhe Zhulietës”, sa herë e shikon të vënë në skenë shpreson deri në fund që Romeo ta lexojë letrën e priftit dhe historia e tyre të jetë një happy end.
Tek “The Broken Circle Breakdown” shikuesi lidhet i tëri me dy karakteret kryesore: Didier dhe Elisie. Drama e historisë së tyre, bëhet pjesë edhe e atij që e ndjek. Gjithkush do e vendosi pashmangshmërisht veten në karakteret e filmit. Një arsye kjo që mbase e bën atë filmin më të bukur të vitit 2013.